Ferizaj me përgatitjet që ka bërë, do t’i kaloj, me sfida më lehtë të menaxhueshme, vërshimet eventuale. Kjo për faktin se me përkushtimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, kompanive publike dhe ndihmën e komunitetit, ka arritur të hap afro 3 kilometra kanal kullues në zonat potencialisht të vërshueshme në fshatin Tërrn, Pleshinë, hapësirën afër Parkut të Lirisë dhe hapësira të tjera përgjatë territorit të Ferizajt.
Me makineri të rëndë është depërtuar edhe në pikat më të thella problematike, të cilat vitin që shkoi përmbytën në shkallë të gjerë territorin tonë. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili që vizitoi dhe mbikëqyri punimet në këtë nismë, bashkë me drejtorin e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, tha se ky aktivitet do të vijoj deri në hapjen e gjithë kanalit kullues dhe lidhjes me kanalizimin e ujërave atmosferike, që vërshimet eventuale të mos shkaktojnë dëme në ekonomitë familjare dhe kulturat bujqësore të banorëve të këtyre zonave.
Tutje, ai apeloi tek qytetarët që të kujdesen për mjedisin, për të mos lejuar bllokimin eventual të këtyre kanaleve, mbyllja e së cilave kërcënon me përmbytjen e këtyre zonave.