Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” është bërë hapja e bibliotekës digjitale. Kjo u bë në kuadër të edicionit të 17-të të veprimtarisë kulturore “Java e Bibliotekës në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Pos librave për herë të parë është digjitalizuar edhe numri i parë i gazetës Rilindja.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se është i lumtur për këtë arritje. Ai ka uruar dashamirët e librit për javën e bibliotekës, duke shtuar se ky projekt
u krijon mundësi studentëve të jenë barabartë me studentët në mbarë botën.
“Sa herë vi në këtë ambient për mua është pjesë e emocioneve pasi që e kujtoj ditën e parë që kam ardhur si 18 vjeçar në ditën e parë të studimeve. Kemi kaluar me mijëra orë duke lexuar më këto momente kemi pasë momente gëzimi e sakrifice dhe këto emocione bartin me vete pjesën e përgjegjësisë që kemi sot si institucion”.
“I uroj gjithë dashamirët e librit për javën e bibliotekës, jam i lumtur që e lansojm projektin e digjitalizimit i cili i krijon mundësi studentëve të jenë barabartë me studentët në mbarë botën. Urime studentëve ata janë pjesë e së ardhmes, Kosova është e jona”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, që tha se do të vazhdojë të përkrah digjitalizimin edhe të bibliotekave tjera.
Gashi tha se që derisa revolucioni i informacionit i ka vënë në presion të madh bibliotekat, ato duhet të ndihmohen për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme.
“Kam kënaqësinë dhe nderin që sot të jem me ju në edicionin e 17-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë që, së bashku, të reflektojmë e të flasim për rolin e bibliotekës, sfidat dhe mundësitë e përkrahjes së këtij institucioni të rëndësishëm të grumbullimit, të ruajtjes dhe të përpunimit të trashëgimisë së shkruar e jo të shkruar”.
“Duhet folur zëshëm dhe ne po punojmë e po veprojmë në këtë drejtim, që derisa revolucioni i informacionit i ka vënë në presion të madh bibliotekat tona, t’i ndihmojmë ato për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme, që të gjejnë rrugën e tyre të duhur në këtë ndarje dramatike teknologjike, që të mund të ushtrojnë ato ndikimit e tyre jo vetëm në fushën e dijes për informacionin, por të kenë fuqinë e ndikimin arsimor, kulturor e social”.
Gashi shtoi se MKRS-ja vazhdon ta përkrahë edhe një ndër projektet më madhore të Bibliotekës Kombëtare, hartimin e bibliografisë së librit shqip të Kosovës, që të krijohet kontrolli i plotë bibliografik i librit në gjuhën shqipe për periudhën që është fushëveprim i projektit të bibliografisë.
“Marrë parasysh këtë, jam tejet i lumtur që, pas diskutimesh e pune të një rrjeti bibliotekarësh e bashkëpunëtorësh, si nevojë e krijimit të një programi kombëtar të arsimimit bibliotekar në vendin tonë, këtë vit flitet për hapa konkretë që janë ndërmarrë për krijimin e këtij programi që do të rrisë edhe më shumë kapacitetin e bibliotekave në Kosovë”.
“Për këtë sfidë dhe të tjera që ndërmarrin bibliotekat, duhet siguruar edhe përkrahja e nevojshme e institucioneve udhëheqëse në përpjekjen dhe angazhimin për ngritjen e profilit të bibliotekës. Qeveria e Kosovës, ashtu siç dhe ka përkrahur shumë projekte për bibliotekën, për librin e për kulturën në përgjithësi, drejtpërdrejtë apo nëpërmjet institucione vartëse të saj, do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e bibliotekave”.
“Gjithashtu, vazhdojmë të përkrahim edhe një ndër projektet më madhore të Bibliotekës Kombëtare: hartimin e bibliografisë së librit shqip të Kosovës, që të krijohet kontrolli i plotë bibliografik i librit në gjuhën shqipe për periudhën që është fushëveprim i projektit të bibliografisë”.
Ndërsa drejtori i Bibliotekës, Fazli Gajraku, tha se me hapjen e bibliotekës digjitale do të ruhet trashëgimia e shkruar shqiptare, raporton EO.
“Sot kur po nis java e biblioteka kombëtare pas shumë vështirësive po bën hapjen e bibliotekës digjitale kjo bibliotekë do shërbejë për ruajtjen e trashëgimisë së shkruar të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”.