Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në hapjen e pikës më të re dhe të parë në Leposaviq të Bankës Ekonomike, ku i pranishëm ishte dhe kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi, raporton Ekonomia Online.
Ai u shpreh se dega më e re e Bankës Ekonomike do të ofrojë të gjitha shërbimet që janë të hapura për qytetarët dhe për bizneset, sikurse kryerja e pagesave, transferet e kreditimi.
“Në këtë mënyrë ka mundësi që gjithçka të kryhet në mënyrë legale dhe transparente në përputhje me ligjin, me kushtetutshmërinë dhe me rregullat e të bërit biznes, të financave dhe të bankimit në Republikën tonë”, deklaroi kryeministri.
Ai shprehu falënderime për kryetarin e Komunës, Lulzim Hetemin, dhe drejtuesit e Bankës Ekonomike, Shpend Luzha e Rrahim Pacolli, të cilët në muajt e fundit kanë punuar për realizimin me efikasitet dhe shpejtësi të degës së re që do të ofrojë shërbime tejet të rëndësishëm për qytetarët pa dallim, e me investime të teknologjisë së fundit.
Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i Bankës Ekonomike, Shpend Luzha, u shpreh i lumtur me rastin e hapjes së degës së 33-të të Bankës Ekonomike, e cila do t’i mundësojë të gjithë qytetarëve të Komunës së Leposaviqit qasshmëri më të lehtë në financa nëpërmjet prezencës fizike.
“Kjo nuk do të ishte e mundshme pa përkrahjen e institucioneve publike, siç janë organet e rendit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Posta e Kosovës, që na ka mundësuar që në kohë rekord të hapim këtë degë që është degë moderne me investime të teknologjisë më të re”, përmbylli kryeshefi Luzha duke ritheksuar falënderimet e tij për kryeministrin Kurti dhe institucionet e Republikës së Kosovës.