Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka hapur ekspozitën “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”.
Ekspozita u hap me rastin e 140 vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj tha se ekspozita për shënimin e 140 vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit përmban 120 fotografi dhe dokumente që tregojnë për spastrimin etnik të shqiptarëve.
“Me rastin e shënimit të 140 vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit, pra vitet 1877, ‘78, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në përkrahje të qendrës dokumentare, shkencore dhe Këshillit Kombëtar për paqe dhe integrim ka përgatitur ekspozitën tematike “Dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit 1877, 1878, kryesisht nga burimet arkivore, dokumente, fotografi, harta e të tjera. Ato ruhen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe në arkivat tjera. Ekspozita përbëhet nga rreth 120 fotografive, dokumenteve dhe këto janë dokumente nga shumë burime që lidhen me spastrimet etnike të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone dhe nga trojet e sanxhakut të Nishit”.
Ai theksoi se të gjitha këto dokumente arkivore dëshmojnë për shtrirjen e popullatës shqiptare në Nish e Pirot dhe jetesën e tyre në qytete tashmë serbe.
“Dokumentet autentike, arkivore të ekspozuara në këtë ekspozitë dëshmojnë për shtrirjen kontiniutive të popullatës shqiptare e deri në Nish e Pirot dhe jetesën e tyre në qytete si Kralevë, Smederevë, Krushec etj”, tha Manaj.
Burbuqe Bakija-Dema, zv.ministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se kjo datë kujton historinë e dëbimit dhe terrorit ndaj shqiptarëve nga Serbia.
“Sot kur përkujtojmë këtë histori të dhimbshme në 140 vjetorin e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, me ç’rast Serbia përmes dhunës dhe terrorit të organizuar nga shteti ushtroi gjenocid, spastrim etnik të qindra vendbanimeve shqiptare dhe dëbimin e qindra mijërave shqiptarëve nga këto troje.
Ajo tha se shqiptarët përveç terrorit dhe gjenocidit ndaj tyre ju mohua edhe e drejta e pronës, që sipas saj është një e drejtë e shenjtë e secilit.
“Shqiptarët e sanxhakut përveç terrorit që përjetuan me vrasje, therje, vdekje, të grave pleqve, fëmijëve nga uria dhe acari, djegie të shtëpive ata përjetuan edhe një dhimbje shumë të madhe sepse ju mohua e drejta e pronës së tyre, një e drejtë e shenjtë e të gjithë neve”.
Bakija-Dema theksoi se ky organizim që shënon 140 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit duhet të shërbejë si thirrje për mos të lejuar shpopullimin e trevave të tjera shqiptare si Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
“Ky organizim duhet të shërbejë si thirrje për vedijësim për të mos të lejuar vazhdimin e realizimit të doktrinave për shpopullimin edhe nga trevat e tjera shqiptare, siç është Presheva, Medvegja dhe Bujanovci”.
Me këtë rast shfaqet filmi dokumentar “Nga Nishi tek Molla e Kuqe” dhe intervista Sabit Ukës.