Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka hapur ekspozitën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në veprat e artistëve evropianë”.
Drejtori i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se bashkëpunimi me autorin Eqrem Zenelaj ia ka mundësuar Kosovës plotësimin e fondeve me të dhëna për Skënderbeun, raporton Ekonomia Online.
“Ky vit është shpallur vit mbarëkombëtar dhe vazhdimisht gjithandej hapësirave shqiptare i janë kushtuar ngjarje kryeheroit tonë. Në ekspozitën e sotme janë diku mbi 80 punime që janë vjelë nëpër arkiva të njohura të botës me përkujdesin e veçantë të profesorit”, tha ai.
Autori i ekspozitës, Eqrem Zenelaj, para të pranishmëve paraqiti disa nga faktet nga jeta dhe vepra e Skënderbeut. Ai tha se Skënderbeu nuk është vetëm emblemë kombëtare, por edhe e Evropës dhe e botës, raporton EO.
“Përveç që ekzistojnë buste nëpër shumicën e kryeqyteteve të botës, shumë autorë botërorë kanë folur për këtë figurë të lartë. Skënderbeu ishte lideri më i famshëm dhe më i pamposhtur. Këtë vit është 550-vjetori i Skënderbeut. Është spekuluar shumë rreth ditëlindjes së Skënderbeut, mirëpo ai ka lindur në vitin 1414. Unë e kam gjetur një letër ne Venedik ku thotë se Skënderbeu për nga madhësia ishte i jashtëzakonshëm. Babai i Skënderbeut ka qenë Konstantini dhe jo Pali, siç është thënë dhe ishte nga Mazreku i Hasit. Ne jemi komb shqiptar dhe komb i vjetër”, tha ai.