Në hollin e Kuvendit të Kosovë është hapur ekspozita “Kristalet e Trepçës”, në të cilën janë ekspozuar minerale të ndryshëm të nxjerrë nga nëntoka e Kosovës.
Hapjen e ekspozitës e bëri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa merrnin pjesë dhe studentë të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Ditën e sotme, kryetari Veseli e konsideroi të jashtëzakonshme. Ai tha se tani të gjithë ndihen të lehtësuar, pasi që një gjigant ekonomik dhe krenari e Kosovës, siç është Trepça, tanimë e ka të sigurt rrugëtimin dhe transformimit e vet, duke u vënë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë.
Kreu i Kuvendit tha se që nga dita e nesërme, kur hyn në fuqi Ligji për Trepçën, pasuria e nëntokës së Kosovës nuk do të mbetet më në zgafella, por do të jetë pjesë e të mirave materiale, në shfrytëzim të qytetarëve tanë.
“Kosova është jashtëzakonisht e pasur. Pasurinë më të madhe e ka rininë, resursin human të saj. Rinia është ari dhe diamanti i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, Kosova ka resurse të pasura natyrale, të cilat, me forcën e mendjes, duhet të vihen në zhvillim të vendit tonë. Pikërisht ky është edhe mesazhi i kësaj ekspozite në mjediset e Kuvendit”, theksoi Veseli.