Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për hapjen e konkursit për ndarjen e bursave për vitin akademik 2019/2020 për studentët e Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, gati tre muaj pas dorëzimit të peticionit me rreth tetë mijë nënshkrime.
Në një njoftim në Facebook, ministrja Hykmete Bajrami, ka thënë se “këto bursa ofrojnë një përkrahje të nevojshme financiare për studentët elitarë, prandaj edhe janë në shërbim të avancimit të cilësisë së arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”.
“Shpallja e këtij konkursi do të ofrojë përgjigje lidhur me interesimet e shumta të studentëve lidhur me konkursin për bursa të shpallur nga MAShTI në vitin 2019 i cili konkurs ishte përcjellë me polemika dhe protesta dhe i cili ishte anuluar përmes vendimit të datës 08.11.2019. Duke pasur parasysh situatën e krijuar me pandeminë COVID-19, Ministrja ka vendosur që të drejtë aplikimi për bursë kanë studentët e të gjitha fushave të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara përmes udhëzimit administrativ 14/2017 për ndarjen e bursave”, thuhet në njoftim.
Hapja e konkursit do të bëhet ditëve në vijim dhe studentët do të informohen për afatet dhe kriteret e aplikimit, ka thënë MASHTI.
Shuma e bursës që e ndan MASHTI, sipas një vendimi të nxjerrë në vitin 2018, është 880 euro.