Sot është hapur panairi tradicional “E dua Kamenicën”, ku mbi 40 biznese vendore kanë promovuar produktet dhe veprimtaritë e tyre.
Nënkryetari i komunës Faton Jakupi, bëri hapjen zyrtare të këtij panairi dhe qytetarët e bashkëqytetarët nga diaspora, patën mundësinë që të njihen me bizneset e prodhuesit vendor.
“Në këtë panair produktet e tyre do t’i ekspozojnë prodhuesit lokal dhe është një mundësi shumë e mirë që qytetarët tanë të njihen me produktet që prodhohen në Kamenicë. Duke i konsumuar produktet tona, në radhë të parë konsumojmë produkte cilësore e pastaj por edhe e ndihmojmë ekonominë lokale”, tha nënkryetari Jakupi.
E pranishme në hapjen e panairit ishte edhe zëvendës ministrja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Magbule Shkodra, e cila tha se promovimi i produkteve është një ndihmë e madhe drejt zhvillimit ekonomik të vendit!
Ndërkaq, drejtoresha për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë Majlinda Krasniqi, tha se u është falënderuese të gjithë atyre që na ndihmuan rreth organizimit të këtij panairi.
“I gjithë organizimi për panairin tradicional ka shkuar shumë mirë dhe jam e lumtur që bizneset e Kamenicës po promovohen me produktet e tyre. Bashkë me stafin po angazhohemi që bizneseve t’u jemi sa më afër në të gjitha format”, tha ajo.
Sipas saj, këtë panair e bënë më të veçantë edhe prania e bashkëqytetarëve nga diaspora dhe pikërisht në “Ditët e Diasporës”, është organizuar edhe panairi.
Vlen të theksohet se ky panair do të jetë i hapur për qytetarët deri nesër në ora 22:00.