Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për lejimin e turistëve për vizita turistike në ishullin e Sazanit.
Marrëveshja që ka për qëllim zhvillimin e turizmit dhe promovimin e tij, u firmos nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.
Në fjalën e saj ministrja Ekonomi falënderoi ministren Kodheli për gatishmërinë e treguar për të kontribuar në rritjen e turizmit në vendin tonë, duke vënë në dispozicion të tij, pronat që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes. “Falënderoj zonjën Kodheli pasi mundësuam një gjë shumë të mirë për turizmin gjithëvjetor shqiptar. Jemi në prag të fillimit të sezonit turistik veror dhe tour operatorët shqiptarë, agjencitë turistike kërkojnë të kenë më shumë produkte turistike për turistët dhe një kërkesë e vazhdueshme që kam bërë është aksesi që mund të kenë në ishullin e Sazanit. Fakti që ne lejojmë turistët të kalojnë në ishullin e Sazanit disa çaste turistike kur konsumojnë turizëm në vendin tonë, padyshim që është një lehtësim i madh për turizmin vendas. Një nga kushtet që turistët kanë pasur vazhdimisht në vëmendjen e tyre, ka qenë siguria, kështu unë ju falënderoj shumë për këtë vëmendje të veçantë që bëtë për vënien në përdorim të ishullit të Sazanit dhe për të nxitur më tej përdorimin atraksionin turistik Sazan.”- tha ministrja Ekonomi.
Nga ana e saj ministrja Kodheli e konsideroi turizmin si një degë shumë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare dhe për këtë shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të turistëve, asetet e Ministrisë së Mbrojtjes që ndodhen në vendet turistike, duke e vënë theksin te siguria.
“Turizmi, përveçse është një pjesë shumë e rëndësishme të ardhurash për produktin mbarëkombëtar, sigurisht që duhet të reflektojë edhe një fytyrë që është fytyra e sigurisë që gjejnë turistët kur vijnë në vendin tonë. Sot bota, sidomos brigjet e Mesdheut janë të trazuara dhe të shqetësuara për shkak të gjithë ngjarjeve gjeopolitike në këtë zonë dhe shumë turistë sot preferojnë të mos frekuentojnë vende me një rrezikshmëri të lartë. Ajo çka ne duhet të sigurojmë është siguria e bregdetit tonë, gjë për të cilën ne punojmë çdo ditë.
Por njëkohësisht për vetë faktin që shumë nga repartet ushtarake ndodhen në vende të spikatura të një bukurie të veçantë natyrore siç është bredeti shqiptar, ne duhet dhe mund të krijojmë mundësinë e vizitimit të këtyre zonave edhe nga turistët, e cila e bën sigurisht më atraktiv të gjithë qëndrimin e tyre”- u shpreh ministrja Kodheli.
Nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, mundësohet lejimi i turistëve për kryerjen e vizitave turistike në ishullin e Sazanit, i cili është pronë në përgjegjësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Turistët lejohet të kryejnë vizita turistike në ishullin e Sazanit, gjatë sezonit turistik veror në periudhën 1 maj 2017 deri më 31 tetor 2017. Marrëveshja përcakton gjithashtu edhe orarin dhe zonat që mund të vizitohen në këtë ishull. (pasqyre.al)