Hapet qendra e re këshilluese për menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse në Dardani

Prishtinë | 25 Shk 2026 | 11:58 | Nga Drita Dërmaku

Është hapur zyrtarisht Qendra e dytë Këshilluese për menaxhimin e sëmundjeve kronike jo-ngjitëse në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardani, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama para mediave përmendi financimin nga Zvicra dhe rëndësinë e kësaj qendre, ku edhe renditi benefitet nga kjo.

 “Është një proces ku jemi duke punuar në bashkëpunim edhe me AQH, në ndihmë prej shtetit të Zvicrës, të financuara prej shtetit të Zvicrës, për me krijuar qendra kontakti apo këshillimore për të gjithë pacientët të cilët vuajnë prej sëmundjeve kronike por jo-ngjitëse, ku munden me marrë informata shtesë pa pasë nevojë me shku te mjeku dhe me u edukuar se si me i menaxhuar sëmundjet e tyre kronike, pra në mënyrë shumë të mirë, më të suksesshme, që mos me u përkeqësuar gjendja, pra me mbrojt shëndetin e qytetarëve tanë. Edhe kjo është si proces i vizionit tonë për transformimin edhe të sistemit shëndetësor në gjithë kryeqytetin, pra në sistemin parësor në kryeqytet, ku kjo është qendra e dytë ku ofrohet këshillimi. Mirëpo përveç kësaj, tash do të vazhdojmë edhe me qendra të tjera në të gjithë territorin e kryeqytetit. E po ashtu, të njëjtën kohë, jemi duke punuar që këto këshillimore faktikisht të ndodhin edhe nëpërmjet telefonit apo nëpërmjet aspektit digjital. Kjo i ndihmon edhe të gjithë sistemit tonë shëndetësor sepse e liron paksa nga presioni i madh, apo presioni i shtuar, apo presioni i panevojshëm, duke edukuar qytetarët e kryeqytetit, po them sidomos ata të cilët vuajnë prej sëmundjeve kronike jo-ngjitëse. Është një fillim i mbarë”, theksoi ai.

Ndërsa doktor Bajram Maxhuni, zëvendës-udhëheqës i ekipit të AQH renditi qëllimet e kësaj qendre.

“Është kënaqësi të jem sot prezent këtu në emër të projektit AQH, një projekt tashmë madhor besoj në fushën e kujdesit parësor shëndetësor. Ky projekt mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) dhe tashmë jemi në vitin e 11-të të mbështetjes së kujdesit parësor shëndetësor. Mbështetja është domethënëse dhe ngërthen thuajse të gjitha aspektet, shtyllat kryesore të organizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor. Faktikisht ne ofrojmë mbështetje në aspektin menaxherial, në ngritjen e kapaciteteve menaxheriale, përfshirë këtu nga drejtorët në nivel të komunave, drejtorët e QKMF-ve, shefat, kryeshefat e kështu me radhë. Menaxhmenti ka të bëjë jo vetëm me menaxhimin e institucionit por menaxhimin e sistemit të cilësisë, i cili është një komponent mjaft i rëndësishëm (edhe vetë projekti ynë quhet Projekti i Shërbimeve Cilësore dhe të Qasshme). Pastaj po shkojmë pika-shkurtra, kemi edhe komponentën që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve klinike. Dhe njëra ndër aktivitetet që sot po hapet është kjo, domethënë zhvillimi i kapaciteteve klinike ku i fuqizojmë mjekët, infermierët dhe stafin tjetër për të ofruar shërbime sa më cilësore për kujdesin primar shëndetësor. Me fokus në këtë aspekt kemi sëmundjet kronike jo-ngjitëse, apo hipertensionin dhe diabetin. Natyrisht ne veprojmë shumë edhe me komunitetin apo me shfrytëzuesit e shërbimit dhe aty e bëjmë fuqizimin e komunitetit për të ushtruar të drejtën e tyre dhe për të kërkuar shërbime cilësore në kujdesin parësor shëndetësor. Veprojmë mjaft dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me aspektin e politikë-bërjes, duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë ku kemi mbështetë në zhvillimin e politikave, strategjive, rregulloreve të ndryshme. Gjithashtu me komunat kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në këtë nivel dhe me Asociacionin e Komunave. Kështu që është një projekt, po them kështu madhor, i cili besoj ka ndikuar që në Kosovë të ofrohen shërbime sa më cilësore”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi edhe roli e këshillimores.

“Po dua me theksuar se roli i këshillimores është shumë i madh për shkak se ju e dini që kujdesi primar shëndetësor e ka fokus parandalimin parandalimin primar (parandalimin e zhvillimit të sëmundjes) apo parandalimin sekondar (parandalimin e zhvillimeve të komplikimeve dhe menaxhimin sa më të mirë të sëmundjes). Në këtë mënyrë po fuqizohet roli parandalues, roli edukues, promovues i shëndetit në këtë qendër.

Tashmë është qendra e dytë, veç e kemi hapur një në QKMF dhe shpresoj që do të vazhdojmë. Është diçka që dëshiroj ta theksoj: projekti është në përfundim dhe fokusi ynë për këtë vit është qëndrueshmëria. Projekti zgjat deri në fund të vitit, por në esencë aktivitetet do të përmbyllen thuajse tërësisht këtë vit. Andaj fokusin e kemi te qëndrueshmëria dhe tash ne jemi duke diskutuar e negociuar me institucionet gjegjëse që të sigurohet qëndrueshmëria e këtyre aktiviteteve. Tani më kemi një zotim nga të gjitha komunat që këto qendra janë në planet e tyre zhvillimore dhe do të vazhdojnë me hapjen e këtyre qendrave, sepse mendoj që Prishtina ka nevojë për shumë qendra, nuk mjaftojnë vetëm dy si kryeqytet, si komuna më e madhe. Kështu që kemi bërë një punë të mirë dhe sigurisht do të vazhdojmë bashkarisht me këtë punë të mirë”, shtoi Maxhuni.

Ndërsa drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku tha se objektivi i këshillimores është parandalimi i sëmundjeve kardiovaskulare.

“Ne e dimë që sot në botë faktori kryesor i vdekjes janë sëmundjet kardiovaskulare dhe obligimi ynë si kujdes parësor është me luftu sa më shumë parandalimin. Prandaj këto këshillimore do ta kenë domethënë objektivin e vet kryesor parandalimin e këtyre sëmundjeve. Ne veç këshillimoren e parë që kemi hapë vitin e kaluar kemi pasur diku rreth 1000 pacientë të cilët kanë marrë shërbime. Qëllimi ynë është me pasur, siç e përmendi edhe Kryetari, në çdo qendër këshillimore të tilla. Përmes tyre ne arrijmë që qytetarët që kanë këto sëmundje kronike, të cilat do t’i kenë gjatë gjithë jetës, me i vetë-menaxhu, me i ndihmu me i vetë-menaxhu, me iu ikë komplikimeve që janë shumë të shpeshta sot te këto sëmundje. Dhe sa më shumë që ne iu ikim komplikimeve, mundësia për trajtim më të lehtë është më e vogël dhe më pak kushtueshme”, tha Sadiku.

Të ngjashme