Hapet shkolla verore, Bytyqi premton organizime të tilla edhe me të rinjtë e Shqipërisë

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 10:21 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në gjimnazin natyror “Xhevdet Doda” në Prishtinë është hapur shkolla verore, e cila synon të promovojë aftësitë e buta duke ofruar mundësi të të nxënit praktik dhe trajnime nga shkathtësia e të menduarit kritik.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se shkollat verore kanë një rëndësi të veçantë sepse, sipas tij, organizimet vullnetare kanë peshë shumë më të madhe sesa ato që janë të obliguara, raporton Ekonomia Online.

Bytyqi deklaroi se kjo shkollë u ndihmon të rinjve të socializohen dhe ta njohin njëri-tjetrin.

Ai bëri të ditur se janë duke punuar që me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë që të organizojnë një shkollë verore kombëtare.

“Një organizim i përbashkët që të rinjtë tanë të afrohen dhe njohin njëri-tjetrin. I çmoj dhe kanë një vlerë të madhe shkollat verore. Që nga marrja e përgjegjësisë kam pasur një angazhim edhe me Ministrinë e Shqipërisë që organizime të tilla të bëhen në nivel kombëtar, që do të ndihmonte që të rinjtë tanë të socializohen mes vete, e pastaj edhe në rrafshin ndërkombëtar”.

Sipas Bytyqit, ndihmesa më e madhe për ta është puna praktike, që u mungon shkollave në Kosovë, raporton EO.

“Kjo shkollë do t’iu ndihmojë mjaft shumë, do ta ketë vlerën që na mungon praktika që nxënësit duhet t’i kenë në shprehje, mësimi kritik dhe ato shkathësitë që kemi nevojë”.

Drejtoresha e misionit të USAID-it, i cili ka mbështetur këtë shkollë, Lisa Magno, theksoi se kjo shkollë është e para e një serie shkollash verore që do t’i kenë dhe që do të shtyjnë më tutje qëllimin e USAID-it që t’i përgatisë nxënësit për jetë dhe punë në shekullin 21, raporton EO.

“Dua që ju ta dini dhe të besoni që jeni e ardhmja e Kosovës. Dhe meqë jeni e ardhmja, USAID-i dëshiron t’i përfitoni ato shkathtësi që t’i realizoni objektivat tuaja në të ardhmen. Siç e tha ministri Bytyqi, në program ka plot aktivitete që do të mundësojnë të merrni aftësi praktike duke u angazhuar në aktivitete”.

Magno theksoi se mësimdhënësit janë pjesa kyçe e suksesit të nxënësve.

“Falënderoj mësimdhënësit, faleminderit për gatishmërinë për të nxënë gjëra të reja dhe për t’ua mësuar pastaj nxënësve tuaj. Ju si mësimdhënës jeni pjesë thelbësore e përpjekjeve për t’u mundësuar nxënësve sukses pas mësimit. Besoj qe ju jeni duke i ndihmuar Kosovës të bëhet shtet më i fuqishëm. Duke investuar kohë dhe fuqi, ju po investoni në të ardhmen e Kosovës”.

Gjatë shkollës verore do të organizohen katër aktivitete të ndryshme gjysmëditore të cilat organizohen paralelisht në katër salla të ndryshme. Në secilin grup do të jenë 15-20 pjesëmarrës (nxënës dhe mësimdhënës).

Pjesëmarrësit gjatë dy ditëve të shkollës verore do të kenë mundësi të ndjekin secilin prej këtyre katër aktiviteteve. Të gjitha aktivitetet janë praktike, në të cilat përdoren pajisje të ndryshme, si dhe përfshijnë lojëra dhe pjesë zbavitëse për pjesëmarrësit.

Pjesëmarrësve do t’u krijohet hapësirë në krijimin e projekteve praktike në fushën e elektronikës, do t’u ofrohen informacione dhe punë praktike me teknologji muzikore, edukim medial, aktivitete praktike rreth ndërmarrësisë, etj.

Të ngjashme