Me një fitore e dy humbje i ka përfunduar Kosova kualifikimet për “Euro 2022” në fustall (futboll të sallës). Përfaqësuesja e Kosovës në futsall nuk ia ka dalë të avancojë nga raundi kualifikues dhe kështu ka bërë hap prapa në krahasim me ciklet e kaluara eliminatore. Në fakt, është pritur që Kosova të bëjë hap para në ndeshjet e luajtura gjatë kësaj jave, por ka ndodhur e kundërta.
Kosova ishte pjesë e grupit F, ndërsa ndeshjet i ka luajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë. Nisi mirë me fitore 4:2 ndaj Austrisë. Por, më pas pësoi 8:4 nga Gjermania, përfaqësuese që është formuar pak kohë më parë, ndërsa dështimi u kompletua të shtunën mbrëma, kur Kosova pësoi thellë, 6:1, nga Gjeorgjia. Gjeorgjia, si e para, avancoi në fazën grupore të kualifikimeve, ndërsa Gjermania, si e dyta, në raundin e plejofit të kualifikimeve. Kosova si e treta në grup u eliminua, njëjtë si Austria e vendit të katërt, shkruan sot Koha Ditore.
Drilon Maxharraj shënoi golin e vetëm për Kosovën në disfatën e thellë nga Gjeorgjia. Në të vërtetë, udhëtimi për në Gjeorgji nuk ishte i zakonshëm për Përfaqësuesen e Kosovës. Ka pasur vonesa të aeroplanëve dhe udhëtimi ka zgjatur shumë orë më tepër sesa ishte planifikuar. Po ashtu, ishin publikuar fotografi të lojtarëve duke pirë duhan në Aeroportin e Prishtinës dhe kjo kishte bërë bujë. Fotografitë e publikuara kanë ndikuar në atmosferën në përfaqësuese, por, megjithatë, Kosova nisi me fitore ndaj Austrisë.
“Pas fitores në duel me Austrinë dhe humbjes së pësuar me Gjermaninë, të përzgjedhurit e Ramadan Cimilit kanë pësuar humbje nga vendi nikoqir i kualifikimeve të Grupit F, Gjeorgjia, e cila e fitoi grupin. Kosova i mbylli këto kualifikime në pozitën e tretë në renditje”, ka njoftuar FFK-ja.
Kosova në futsall, për herë të dytë, garoi në kualifikime për Evropian. Në debutim, në kualifikime për Euro 2018, Kosova kishte përfunduar e dyta në grup. Pozita e dytë nuk i kishte mjaftuar për të avancuar tutje, por është pozitë më e mirë se kjo e kualifikimeve për Euro 2022. Edhe bilanci ishte më i mirë. Kosova kishte fituar 5:1 ndaj Norvegjisë dhe 3:1 ndaj Qipros, ndërsa kishte pësuar 2:1 nga Danimarka, që kishte fituar grupin po me gjashtë pikë sa Kosova dhe kishte avancuar tutje.