Festivali i cili hulumton hapësirat publike këtë vit paralajmëron eksplorimin e limiteve dhe ndryshimin e këndvështrimit për qytetin.
Me temën “Të lëvizësh qytetin”, edicioni i katërt i “Hapu” për tri ditë do të mbushë rrugët e kryeqytetit me performanca e aktivitete kulturore. Shtatë lokacione të ndryshme do të shndërrohen në hapësira për krijime artistike, shkruan sot “Koha Ditore”.
Teatri “Oda”, Muzeu i Kosovës, Fakulteti i Arteve dhe Ministria e Kulturës janë vetëm disa nga objektet, hapësirat e të cilave do të shfrytëzohen këtë vit nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. Sheshi “Zahir Pajaziti” e “Skënderbeu” dhe Memoriali “Heroinat” do të bëhen stacione të tjera për performanca unike.
“Hapu” këtë vit hapet me datë 19 të këtij muaji. Festivali do të nisë me performancën që vjen nën koreografi të austriakut Chris Haring, i cili në vitin 2005 themeloi kompaninë e vallëzimit “Liquid Loft”. Kjo kompani punon në hapësira publike duke përdorur përplasjet e gjuhëve dhe kontradiktat komunikuese si mjete të krijimit. Prandaj edhe kjo performancë, që do të zërë vend në Muzeun e Kosovës, është titulluar “Gjuhët e huaja”. Koreografia e Haring do të përcillet me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga “Liquid Loft”.
Përveç kësaj, një tjetër aktivitet interesant do ta sjellë artisti gjerman Frank Bölter, i i cili bën origami të përmasave reale. Ai do të palosë e shpalosë objekte që “shqetësojnë apo lidhin shëtitësit e sheshit “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës”. Ai do të presë publikun t’i bëjnë së bashku dhe më pas të luajnë me to. Ky aktivitet titullohet “Kufi e lidhje origami”.
“Edhe këtë vit po vendosim pikënisje të lëvizjeve tona në hapësirat publike të qytetit të Prishtinës. Po vazhdojmë eksplorimin tonë të pashterur në kërkim të pikave që provokojnë nisjen në lëvizjen tonë të përbashkët me qytetin”, ka thënë Florent Mehmeti, drejtor i festivalit “Hapu” .