Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK angazhohet për familje me mirëqenie ekonomike dhe me të ardhura që e sigurojnë familjen, për këtë ai tha se kundërshtojnë çdo tendencë për zhvlerësimim e familjes, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarime i pari i AAK-së i bëri në tryezën e grupit parlamentar të kësaj partie me temën “Familja – roli, sfidat dhe mbrojtja”.
“AAK është parti atdhetare dhe në thelb ka atdheun. Këto vlera janë të lidhura mes vete, janë të vlerësuara në të gjitha kohërat. Aleanca angazhohet për familje me mirëqenie ekonomike dhe me të ardhura që e sigurojnë familjen. Do të kundërshtojmë çdo tendencë për zhvlerësimin e familjes”, tha Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi theksoi se familja shqiptare tradicionalisht ka qenë institucioni i rëndësishëm.
Në fjalën e tij, ai përmendi edhe iniciativën për ndarjen e 500 eurove për secilën lindje në këtë komunë.
Kryetari i Demokracisë Konservatore, Avdullah Klinaku tha se emigracioni i theksuar e sistemi shëndetësor janë disa prej rreziqeve me të cilat po përballen familjet.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo temë duhet të diskutohet në mënyrë profesionale.
“Po e bëjmë këtë për të dhënë një shembull se diskursi publik për atë që e ka mbajtur kombin shqiptar, për familjen, ta bëjmë në formën më profesionale e transparente”, tha ai.