Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas homazheve që i ka bërë shtatores së Zahir Pajazitit dhe varrit të ish presidentit Ibrahim Rugova, ai një gjë të tillë e ka bërë edhe në Prekaz.
Haradinaj, ka thënë se është praktikë që vëmendja dhe kujtesa jonë të kthehet te ata që nuk janë më në jetë, derisa Prekazin e ka quajtur vend të shenjtë, raporton Ekonomia Online.
“Është praktikë në momente dhe domethënie të caktuar që vëmendja jonë edhe kujtesa kthehet të ata që nuk janë më në jetë . Jemi në vendin më të shenjtë që kemi si shqiptarë në Prekaz janë flijuar gjenerata edhe fëmijë, moshë e pjekur edhe pleq, komandanti legjendar Adem Jashari, familja e tij janë themeli i lirisë sonë. Tani nderimi duhet të jetë i përjetshëm, por prapë edhe këto momente e bëjnë të veten dhe jemi krenarë që ndodhemi këtu”, ka thënë ai.
Se a do të jetë rikthimi i tij i fuqishëm, Haradinaj ka pohuar se është i interesuar ta ndihmojë vendin.
“Ne jemi të interesuar të ndihmojmë vendin tonë, me e ndihmuar njeriun tonë – qytetarin, meritojnë një jetë si i ka hije, për fat të keq nuk është kështu tani, duhet t’i gjejmë mënyrat duhet t’i gjejmë energjitë dhe vizionin që me ndreq vendin, me ndreq jetën tonë, nëse nuk mund të krijojmë jetë për njeriun tonë, kot mburremi ose për të kaluarën, ose tani asgjë se ka vlerën e vet”, ka thënë ai.