Në një takim me qytetarët e Ferizajt, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka premtuar atyre se dinamika e shpejtë e punës në Qeverinë e Kosovës, do të bartet edhe në këtë komunë.
“Kjo nuk është vetëm një qeveri që i dëgjon hallet, por është një Qeveri që vepron. Një qeverisje e tillë me këtë dinamikë, jo vetëm që merret me temat që janë akumuluar me kohë, por edhe të avancojë tutje”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka folur edhe për avancimin në integrimin në BE dhe për rrugën drejt anëtarësimit në NATO, si mundësi për përmirësim të gjendjes ekonomike dhe investimeve nga jashtë.
Haradinaj i ka ftuar qytetarët e Ferizajt që të besojnë në fitoren e kandidatit Xhavit Zariqi, pas kalimit në raundin e dytë zgjedhor.
“Ju ftoj në këto zgjedhje ta shtoni vetëbesimin dhe të besoni në fitore. Nuk e keni të pamundur që të hyni në raund dytë, kësaj radhe”, ka vlerësuar Haradinaj.
Nga ana tjetër, kandidati për kryetar të Ferizajt, Xhavit Zariqi, u ka premtuar të pranishmëve në këtë tubim se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, do të jetë shumë pranë tyre. Ai është shprehur se Ferizaj nën udhëheqjen e tij do të përfitojë në zhvillim ekonomik dhe në përmirësim të jetës së qytetarëve.