Haradinaj çuditet me lavdëratat e Kurtit për situatën në KEK: Të lutemi që dimri do të jetë i butë

Prishtinë | 11 Sht 2024 | 10:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i çuditshëm dhe krejt i pakuptimtë lavdërimi i kryeministrit Albin Kurti për KEK-un dhe sukseset e tij.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shprehur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me qëndrimin e tij ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike,” shkruan Haradinaj në një postim në Facebook. Ai sugjeron se Kurti po u drejtohet “përfituesve të mëdhenj të KEK-ut” në vend të punëtorëve të kompanisë. Haradinaj akuzon qeverinë për mungesë transparence në lidhje me importin e energjisë elektrike, duke kërkuar sqarime për shumat e shpenzuara dhe furnizuesit.

Lideri i opozitës shton se refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, si dhe shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarët, do të kenë pasoja. “Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg,” paralajmëron Haradinaj, duke shprehur shqetësimin për situatën energjetike në vend.

POSTIMI I PLOTË:

I çuditshëm dhe krejt i pakuptimtë lavdërimi i Kurtit për KEK-un dhe sukseset e tij. Sikur të mos ishte tragjike, do të ishte komike, pasi ai qartë shihet se e ka gabuar audiencën. Kur e lexon postimin e tij, të jep përshtypjen sikur ai u është drejtuar jo KEK-ut dhe punëtorëve të tij, por atyre që janë përfitues të mëdhenj të KEK-ut: pra, atyre që i ndjek ligji për afera në KEK dhe blerje të energjisë, atyre që marrin rrogë me kontrata të fshehta nga EPS, por edhe të gjithë dilerëve të energjisë në rajon.

Jo KEK-ut, jo, se me asgjë s’ia kanë parë hajrin Albin Kurtit, bile as me bojlerë as me spoilerë.

Përveç 21 milionë euro dëmshpërblim që ka paguar, po të ishte burrë Albin Kurti, ai do të tregonte sa qindra miliona euro ka importuar që nga koha kur është Kryeministër, me çfarë çmimi dhe nga kush. Kurti, këtë ua ke borxh njerëzve të këtij vendi. Është e sigurt se ai nuk do të tregojë për shumat, e edhe shitësit e rrymës do të përpiqet t’i fshehë, por ai duhet të dijë që pushtetet nuk janë të përjetshme. Refuzimi i gazit amerikan dhe anulimi i projektit Kosova C, shtrenjtimi i dyfishtë i energjisë për qytetarin, aty do të jenë.

Kosovës i mbetet që edhe këtë dimër të lutet që do të jetë dimër i butë dhe të ketë rrymë të mjaftueshme dhe çmim të lirë në treg. Ndryshe, keq do të jetë për gjithë vendin.

Të ngjashme