Haradinaj: Deklarata e 2 Korrikut hapi rrugën e Kosovës drejt barazisë, UÇK-ja e jetësoi me luftë

Prishtinë | 02 Kor 2020 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka publikuar një shkrim për të kujtuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, të bërë nga deputetët kosovarë në vitin 1990. Haradinaj ka thënë se kjo deklaratë i kishte hapur rrugën Kosovës për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, përkundër se zbatimi i saj nuk ishte lejuar nga pushteti i Milloshevqit.

“Me 2 korrik 1990, deputetët kosovarë, me gjithë presionin e kërcënimet nga pushteti i Millosheviqit, nxorën aktin të cilin shqiptarët e prisnin me dekada.

Deklarata me të cilën Kosovës i hapej rruga për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, edhe pse nuk u lejua të zbatohej, me forcën e armëve e tankseve, dërgoi mesazhin në gjithë botën për përcaktimin e shqiptarëve për liri e pavarësi”, ka shkruar ai. Haradinaj, ka thënë se deklaratën e asaj legjislature deputetësh e kishte jetësuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Duke qenë falënderues për të gjithë deputetët e asaj legjislature, deklaratën e tyre e jetësoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 2 korriku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën historike të shqiptarëve”, thuhet në fund.  

Të ngjashme