Haradinaj: Deklarata e DASh, garancia që i nevojitet Kosovës

Prishtinë | 26 Mar 2020 | 23:24 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se deklarata e krerëve të lartë të Administratës amerikane dhe Departamentit të Shtetit se nuk ekziston një plan sekret për shkëmbime territoresh, është siguria më e madhe dhe garancia më e duhur që i nevojitet Kosovës sot për të ecur përpara.

“Kohën dhe energjinë më të madhe sa isha kryeministër, ia kam kushtuar luftimit të zërave konspirativ e të pasaktë, që dikur thonin se Amerika është për shkëmbim territoresh, duke synuar gabimisht largimin tonë nga aleati ynë historik, SHBA-të”, ka shkruar Haradinaj, në profilin e tij në Facebook.

“Ai plan ka pasë mundësi të jetë në tavolina tjera, por asnjëherë në tavolinën e udhëhequr nga SHBA-të. Sonte, ndihem i përmbushur dhe i sigurt, që kjo bindje po konfirmohet edhe deklarativisht”.

“Marrëdhëniet tona me Amerikën janë të pathyeshme, të pacenueshme, dhe të përhershme. Shtëpia e Bardhë dhe Washingtoni janë tempull i shenjtë i lirisë dhe pavarësisë sonë”.

“Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e saj. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin tonë”, përfundon postimi i Haradinajt.

Të ngjashme