Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, është zotuar për aftësimin e Aeroportit të Gjakovës si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka thënë se Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente.
“Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup. Për këtë qëllim, ne do ta aftësojmë Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror. Kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se shndërrimi i këtij aseti në pikë të rëndësishme, është pjesë e vizionit tonë.
“Angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese”, është shprehur Haradinaj.