Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se plagët e të mbijetuarve të dhunës seksuale, nuk janë vetëm fizike por edhe shpirtërore.
Kështu ka thënë Haradinaj në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kujtojmë dhe nderojmë çdo person që ka përjetuar këtë tragjedi. Plagët e tyre nuk janë vetëm fizike, por edhe shpirtërore, dhe kërkojnë një trajtim të veçantë dhe një kujdes të fortë nga shoqëria dhe institucionet tona”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se ata që kanë vuajtur duhet të jenë prioritet i përbashkët i yni.
“Kjo ditë është një shans për të ngritur vetëdijen tonë kolektive për një angazhim më të madh në përpjekjet tona për të mbështetur dhe ndihmuar viktimat. Drejtësia dhe mbështetja për të gjithë ata që kanë vuajtur duhet të jetë një prioritet i përbashkët që asnjëherë të mos ndihen vetëm në betejën për drejtësinë, të cilën ende nuk e kanë parë”, është shprehur Haradinaj.