Haradinaj: Duket sikur Kurti ka një skenar për ta ndarë Kosovën

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 21:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përmendur dy detaje të cilat prekin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj ka thënë se veprimi i pambuluar ndaras po rrezikon një pjesë të vendit.

Ai ka ngritur dyshimet se kryeministri Kurti ka një skenar për ta ndarë Kosovën.

“Veprimet që janë të pambuluara e sidomos atje ku preket siguria e ku nuk mbulohesh nga aleatët e sigurisë, janë të rrezikshme dhe janë humbëse për Kosovën. Kosova nuk guxon të veprojë e pambuluar, në siguri i vetëm dihet rezultati dhe këto veprime që janë të ligjshme e të drejta të Kosovës e kanë vetëm një mungesë, nuk e kanë mbulesën e aleatëve të sigurisë. Dështimi i Kurtit është se nuk e ka marrë përkrahjen e aleatëve të sigurisë, bekimin e Amerikës. Kurti duke bërë veprime të njëanshme, rrezikon edhe FSK-në edhe juridiksionin e Kosovës, e ka dëmtuar shtetin e Kosovës në një masë të territorit të vet”, tha ai në RTV Dukagjini.

“Çështjet e sigurisë nuk bëhen në krye në vete. Albini dhe qeveria e tij është dashur ta kërkojë ndihmën e Amerikës. Veprimi i pambuluar ndaras, po shkon kah një drejtim tjetër, kah një rrezikim i një pjesë të vendit. Dyshimet janë tani a mos Kurti ka skenar ta ndajë Kosovën, duket si një skenar për ndarjen e Kosovës”, shtoi Haradinaj.

Kur pyetet pse beson që Kurti ka për synim ndarjen e Kosovës, Haradinaj ka potencuar se që nga ardhja e Kurtit në pushtet, mungon “soft power”.

Sipas tij, kreu i qeverisë po shkon në atë që është forca e ligjit, gjë që siç thotë Haradinaj “në rastin tonë ne nuk jemi ata, duhet të jemi real, Kurti nuk mundet”.

“Dikur në Shtërpcë e vende të tjera ka pasur barrikada, ka pasur protesta, incidente, dhunë, ka qenë një politikë afatgjate pikërisht e Amerikës por edhe e BE-së, që t’i integrojnë këta njerëz. Ka mbi 10 vjet që ka filluar një proces që t’i integrojë njerëzit e veriut, profesionistët atje, dhënia e një justifikimi e atyre është një lloj tradhtie për Kosovën e veçanërisht për investimet e gjata, çdo veprim që ka ndodhur në veri ka qenë investim i madhe edhe i amerikanëve, dhe rezultat i një dinamike të madhe që ta sjellin gjendjen ashtu siç është në Graçanicë e Shtërpcë”.

“Nga ardhja e Kurtit mungon ajo forca e butë soft power, si t’i trajtojë serbët, shihet që në fund që Kurti po shkon në atë që është forca e ligjit e cila ata që e kanë fuqinë ta zbatojnë shumë mirë, por në rastin tonë nuk jemi ata, duhet të jemi real. Kurti nuk mundet”, shtoi Haradinaj.

Të ngjashme