Haradinaj e quan Kurtin te paskrupullt: Sigurimi i librave, një luftë e vërtetë për prindërit

Prishtinë | 29 Gus 2023 | 13:13 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur të paskrupullt kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se sigurimi i librave nga prindërit do të jetë një “luftë e vërtetë”, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj, pas takimit me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se qëllimi kryesor i takimit ishte që të informohej rreth situatës me tekstet shkollore, e cila, sipas tij, është shumë shqetësuese. Mirëpo, ai u shpreh se jo gjithmonë ka pasur takime të lehta e të mira me të.

“Takimet me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit nuk kanë qenë gjithmonë të lehta e të mira. Kujtoj takime që jemi përplasur në zyrën e Qeverisë, mirëpo edhe pas atyre përplasjeve e kemi respektuar njëri-tjetrin në përputhje me misionin qe kemi. Si rezultat i presionit të tyre direkt sot i gëzojmë disa të arritura. U fol për stazhin e mësimdhënësve në periudhën 91’-99’. Poashtu edhe tema të tjera”.

Kreu i AAK-së, tha se ekziston mundësia që prindërit të mos i blejnë librat për shkak të vështirësive financiare e se ka komuna në vend që nuk kanë as librari.

“Sot kam ardhur me dy qëllime; së pari të mësoj edhe më afër se si është gjendja tani me tekstet për shkak se informata që ne i kemi marr janë mjaftë shqetësuese. Për prindërit do të jetë një luftë e vërtetë për t’i siguruar këto tekste. Shumë prindër janë në vështirësi ekonomike dhe financiare dhe munden mos me i pasë prioritet tekstet, munden m’i shpenzua edhe në kërkesa të tjera. Nuk ka librari në të gjitha komunat”, u shpreh Haradinaj.

“Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit e të ministres, të paktën një kërkimfalje Kosovës. Kosova i paguan ata që diku në pranverë ta kryejnë çështjen e teksteve në vjeshtë, ndërsa ata njerëz të paskrupullt e pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. I bëj thirrje Kurtit e kabinetit të tij që të mos e tallë Kosovën, një kërkimfalje duhet të ndodhë me këtë gjendje të krijuar. Nëse nuk duan ta sanksionojnë vetën, të paktën t’i shërojnë zemrat e atyre që i kanë lënduar, me një kërkimfalje”.

Ai po ashtu shtoi se dyshimet janë të bazuara që kjo mund ta ketë një prapavijë.

“Është e pabesueshme që Nagavci e Kurti nuk e kanë ditur që do të vijmë në një javë para fillimit të vitit shkollor e nuk i kanë siguruar tekstet. Pra, ata sipas meje kanë shpresuar edhe në një krizë të re në greva, e që po besoj që Kosova mos me u marr më me arrestimet e me korrupsionin që ka mbërri të Kurti e që kuptohet nën udhëheqjen e tij, por me u marr me tema tjera”, deklaroi Haradinaj para mediave.

Të ngjashme