“Edhe në kohën e UÇK-së, femra ka qenë pjesë e luftës, duke dhënë pjesën e vet edhe në front, në familje, në zona të lira, edhe duke lidhur plagë. Pra të gjitha detyrat e luftës femra shqiptare, femra e Kosovës i ka kryer”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në promovimin e librit “ Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit” të autores, Fetnete Ramosaj.
Në këtë promovim, që përkon me ditëlindjen e Fetnetes, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se janë mbledhur për të shënuar një sukses, një të arritur të një vajze luftëtare, duke theksuar se në UÇK ka pasur edhe vajza, që kanë qenë në vijë të frontit, duke kryer detyra të ndryshme, si mjeke, kroniste, në informim, në menaxhim, deri në vijat e frontit.
Duke folur për autoren, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se te ajo shihet një ndjenjë, një dëshirë që koha mos me e ndalë kujtesën për periudhën e lavdishme të luftës.
“Veprat e saj, qofshin vepra që dëshmojnë krimet e forcave serbe, qofshin shkrime tjera, kronikë e kohës, apo dëshmi të tjera, janë edhe një luftë tjetër, që e vërteta e luftës, e vërteta e UÇK-së, e drejta jonë në atë luftë të mbijetojë për gjithë kohën”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Fetnetja ka arritur që krahas veprave të saj në ditët e vështira të luftës tonë për liri, t’i jep Kosovës edhe suksese tjera, t’i jep dëshmi, materiale të cilat do t’i mbijetojnë kohës dhe do të jenë jo vetëm në përdorim të lexuesve, të atyre që janë të pasionuar dhe që ju intereson ajo kohë, por edhe të studiuesve, ngase aty ka faktografi, që ua mundëson studiuesve që t’i studiojnë dhe analizojnë nga pikëpamjet e ndryshme që i kërkon shkenca.
Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj, falënderoj autoren e librit dhe ata që iu kanë gjendur pranë për këtë sukses të arritur dhe këtë dhuratë që ia bënë Kosovës, duke faktuar një periudhë të lavdishme të jetës tonë.
“Fetnetja është e gjallë. Vepra e saj është e gjallë dhe do të jetoj me ne, dhe për këtë arsye familja e ka më lehtë ta përballojë dhembjen, mungesën e saj, por edhe bashkëluftëtarët dhe gjithë lexuesit do të jenë falënderues”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke falënderuar Fetneten për kontributin, veprën e saj e cila do të jetojë gjithmonë.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se nëse e marrin shembullin e Fetnetes, e cila një jetë iu kushtua kauzës për liri, të drejtës së shqiptarëve, atëherë është shumë lehtë për brezat e ri që ta ndjekin rrugën e saj.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ia dhuroi medaljen e kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, familjes së Fetnete Ramosaj, me motivacionin- shërbimi ndaj atdheut.
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se janë bërë bashkë sot për të promovuar një vepër unike të një autoreje unike për kohën tonë siç ishte Fetnete Ramosaj. Libri “ Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit” është një vepër unikate që paraqet lavdinë e luftës së UÇK-së. Ky libër është dëshmi që i shërben mbamendjen tonë historike, për të mos harruar kurrë rrugën kah kemi rënë” tha kryetari Ramosaj.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe bashkëveprimtari i Fetnetes, Rasim Selmanaj, Gjeneral Kudusi Lame, profesor doktor Selim Daci, Faton Mehmetaj, recensent i librit.