Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur sot në Emisionin Frontal në T7 për kërcënimet që iu janë bërë këto ditë, kreut të LVV-së Albin Kurtit, djalit të liderit të LDK-së, dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Haradinaj ka komentuar edhe sulmin fizik që ministri në detyrë Endrit Shala bëri ndaj një gazetari.
“E para, kërcënimi ose sulmet në pronë ose personi janë të dënueshme me ligj, dhe institucionet duhet menjëherë të veprojnë, këto janë raste që i flasim si rasti i kërcënimit që e dëgjum. E pamë edhe kërcënimin për kryetarin e kryeqytetit”, ka thënë ai.
Haradinaj thotë se komente të tilla marrin shpesh, mirëpo, shton se asnjëherë nuk i ka raportuar të njëjtat.
“Marrim komente, unë asnjëherë skam raportu ndonjë të tillë, skam pas rast me raportu, e vetmja herë është kur kanë ndërhy vetë institucionet, ka qenë një militant islamik.
Ka kërcënime që shihen si janë nga profilet false. Unë nuk po flas për kërcënim, por, për ata që po na ofendojmë ju thojmë qashtu ju koftë.
Me thanë të drejtën, unë mendoj që tani ta flasim kështu sinqertë, unë si kam marrë si kërcënime po ma shumë si qyqerllak, i dënoj këto edhe për z.Kurti, djalin e kryeministrit Mustafa, kryetarit Ahmeti”, shton ai.
Kryeministri në detyrë ka komentuar edhe sulmin fizik që bëri pak ditë më parë edhe ministri në detyrë, Endrit Shala ndaj një gazetari.
“Është e papranueshme, sulmi ndaj njerëzve të medias dhe nuk guxon me ndodhë, liria e mediave Kosova ska ligje censurore, edhe jam kundër kushdo që e bën këtë, edhe më vjen shumë keq kur një ministër involvohet, e kam pritë këtë rast me thënë fjalën e vet edhe drejtësia, meqenëse se jemi edhe ne qeveri në dorëheqje.
Jam dëgju në telefon me të për këtë rast, si kam pa pamjet, ishte një pamje e një kualiteti bukur të dobët, me dhënë një version duhet me ja lanë një trupe të specializume, është pak vshtirë, sishin të qarta pamjet, jam kundër, ka diçka mendoj që na keqkuptojnë në raste të kundërta gazetarët neve politikanëve, unë kam punë çdo ditë me gazetarë.
Edhe na jemi njerëz i kemi të drejtat e shprehjes së lirë”, ka thënë kryeministri në detyrë.