Haradinaj hap “Javën e Krenarisë”, thotë se Kosova është gati të respektojë të drejtat e komunitetit LGBTI

Prishtinë | 06 Tet 2017 | 19:32 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë, në kuadër të së cilës për herë të parë në Kosovë do të mbahet Parada e Krenarisë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm dhe ambasadori amerikan, Gereg Delawie, drejtori i USAID-it, James Hope, zyrtarë të ambasadave të huaja në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në hapje të ceremonisë, Haradinaj ka uruar “Javën e Krenarisë”, duke thënë se kjo tregon guximin si shoqëri, duke ditur që dhe kushtetuta i respekton të drejtat e komunitetit LGBT.

“Është për mua hera e parë edhe në jetë por edhe si kryeministër që të jem nikoqir ose që të mundem me organizuar edhe një pritje për komunitetin LGBT, në Kosovë, kuptohet meqë është hera e parë dhe në Kosovë atëherë besoj që kjo domethënë shumë edhe për edhe vetë specifikat që ka vendi ynë, shoqëria jonë”, tha Haradinaj.

Më tej Haradinaj theksoi se “Java e Krenarisë”, vërteton edhe një guxim tonë qytetar, shoqëror por edhe institucional.

“Atë që ne kemi deklaruar që Kushtetuta jonë do t’i respektoj të drejtat e të gjithëve pa dallim edhe të gjitha liritë njerëzore janë të respektuara. Në këtë rast Kosova është e gatshme t’i respektoj të drejtat e komunitetit LGBT në Kosovë dhe njëkohësisht ta mundësoj që një barazi dhe një liri e zgjedhjes në jetë të ndodh në bazë të përcaktimit të secilës dhe të secilit”, pohoi Haradinaj, raporton EkonomiaOnline.

Ndërsa Agim Margilaj foli në emër të organizatave që kanë organizuar këtë ceremoni.

“Së pari dua të ju falënderoj për hapjen e ceremonisë së paradës së krenarisë. Motoja e paradës do të jetë “Në Emër të dashurisë” . Prania juaj në këtë ngjarje është një nder i madh për ne”, ka thënë Margilaj.

Ai tha se është punuar shumë që të drejtat e komunitetit LGBT, dhe se Kosova, ka një legjislacion më të avancuar në Ballkan që janë në përputhje me legjislacionin Evropian.

“Për të avancuar edhe më tutje në Kosovë është krijuar edhe një Grupi këshillëdhënës dhe koordinues për të drejtat e komunitetit LGBTI”, tha ai.

Më tej Margilaj, tha se nëse merret parasysh situatë në Kosovë, Parada organizohet me qëllim për të tërhequr vëmendjen e qeverisë dhe popullatës se komuniteti LGBT është këtu dhe është pjesë e shoqërisë Kosovarë.

Ai ftoi të gjith që ti bashkohen paradës së krenarisë.

Ndryshe, me 10 tetor do të shënohet Parada e Parë e Krenarisë në Kosovë e komunitetit LGBTI dhe përkrahësve, e cila do të nisë në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pas tre marsheve, ky do të jetë viti i parë që mbahet Parada e Krenarisë e cila do të filloj në ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Pas përfundimit të paradës do të mbahet një fjalim në lidhje me ngjarjen dhe do të përfundojë me një koncert të shkurtër.

 

Të ngjashme