Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj iu është kundërpërgjigjur akuzës të bërë nga kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për urën e Ibrit, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se nuk është hera e parë që kanë provuar ta pozicionojnë “këndej ose andej ure”.
“Kanë provuar edhe Pejën të ma ndajnë me lum, kanë provuar që të ndajnë Mitrovicën me lum, besa edhe krejt Kosovën duke i vendosur disa kufij të ri, në emër të njëfarë shkëmbimi territorial. Por, as atëherë e as sot, s’kanë gjetur te unë aleat të ndarjes, e nuk do të gjejnë kurrë”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së është shprehur se ai është gjithmonë në çdo milimetër të territorit të Kosovës dhe se tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë.
“Po ju që po pyesni nga cila anë, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani në dysh, apo si e keni hallin?! Ose në cilën anë jeni ju, që ta marrim vesh njëherë e mirë”, pyeti Haradinaj Kurtin.