Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook tha se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës dhe u shpreh se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik e shembull për qytetarinë e vendit.
Abdixhiku gjithashtu është shprehur se refuzojnë të bëhen siç e quajti ai, pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë.
“Natyrisht se LDK-ja nuk shpërblen mediokritetin. Natyrisht se LDK-ja nuk ka votë promovuesi vulgar të urrejtjes, ndarjes e propagandës – në nivelet më të larta institucionale. Besojmë se përfaqësimi politik duhet të jetë fisnik; shembull për qytetarinë e Republikës më të re në Evropë. Akademik Idriz Ajeti ka qënë kryetar i parë i Kuvendittë Republikës. Sot, tri dekada e gjysmë më pas, 73 deputetët e Kuvendit shpërfaqën më së miri ndoshta dhe gjithë rrënimin vleror që po i ndodhë kësaj shoqërie nga popullizmi”.
“Uroj që votuesit e partisë të parë, të kenë kuptuar se ku ka përfunduar vullneti i tyre. Ne refuzojmë të përfaqësojmë këtë mendësi. Siç dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e cirkut votues për nënkryetarët minoritarë. Kanë marrë drejtimin e Kuvendit drejt theqafjes jokushtetuese. Le t’i japin zgjidhje krizave që i shkaktojnë qëllimisht; përfshirë dhe precedaneve të rrezikshme bllokuese nga Serbia në të ardhmen. Ky s’është drejtimi ynë! Prandaj dhe s’mund e s’duam të jemi pjesë e një skenari të tillë”, ka shkruar ai.Ndaj kësaj deklarate të Abdixhikut ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se LDK-ja është betonuar pro bllokadës.
Duke iu drejtuar kreut të LDK-së, Haradinaj tha se ai ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon ende ta bëjë një gjë të tillë.
“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës”.