Haradinaj: Kapja e Maduros tregon lidershipin e ShBA-së

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi sot u kap presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas Haradinajt, kjo ngjarje përbën një shembull të rëndësishëm të lidershipit global të ShBA-së dhe një dëshmi se askush nuk është mbi parimet universale të sundimit të ligjit.

“Kapja e Nicolas Maduros përbën një shembull të rëndësishëm të lidershipit global të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një dëshmi të qartë, të pakundërshtueshme, se askush nuk është mbi parimet universale të sundimit të ligjit. Shtetet e Bashkuara, nën udhëheqjen e Presidentit Donald J. Trump, riafirmojnë vendosmërinë e tyre për të mos toleruar asnjë regjim që mbijeton përmes sponsorizimit, bashkëpunimit apo partneritetit me krimin e organizuar ndërkombëtar, duke dërguar një mesazh të fuqishëm për përgjegjësi globale”, shkroi i pari i AAK-së.

Haradinaj shkroi po ashtu se Kosova ka qëndruar dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë e rreshtuar krah vlerave dhe parimeve demokratike, duke ruajtur bashkëpunimin me aleatët strategjikë, veçanërisht ShBA-në, e cila sipas tij mbetet garant i lirisë, paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

“Kosova ka qëndruar dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë e rreshtuar krah vlerave dhe parimeve demokratike, si dhe pranë aleatëve të saj strategjikë, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten garant i lirisë, paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, shkroi Haradinaj.

Të ngjashme