Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës kërkesën për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel.
Haradinaj ka theksuar se përmes kësaj nisme synohet shprehja e mirënjohjes institucionale për rolin e Engel në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke e cilësuar atë si një ndër zërat më të fuqishëm në momentet kyçe për vendin.
Sipas propozimit, kërkohet mbajtja e një seance të veçantë përkujtimore në Kuvend, krijimi i një çmimi vjetor “Eliot Engel”, si dhe vendosja e një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të institucionit.
Kreu i AAK-së ka vlerësuar se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar, duke shtuar se kjo iniciativë synon të ruajë kujtesën historike dhe të forcojë aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.