Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta bëjë rishikimin e buxhetit për vitin 2022.
Haradinaj tha se AAK-ja e ka analizuar situatën, dhe sipas tyre “kanë ndryshuar të gjitha parashikimet në të cilat është bazuar ky buxhet”.
Kreu i AAK-së përmendi inflacionin dhe rritjen e çmimeve, ndërsa përmendi disa propozime për Qeverinë në lidhje me masat që duhet të ndërmerren.
“Ne i propozojmë Qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyjë në krizën financiare në vend. Ekziston mundësia dhe është reale heqja e TVSH-së për artikujt bazë ushqimorë për 3 muaj dhe për t’u rivlerësuar”, tha ai.
“Ne kërkojmë që të ndodh rishikimi tani, analiza jonë është se kanë ndryshu të gjitha parashikimet që është bazuar ky buxhet, janë rrit çmimet, të hyrat. Si aleancë i sugjerojmë qeverisë së vendit që ta ndërmerr rishikimin urgjent. I propozojmë qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyj në krizën financiare në vend për fuqitë blerëse dhe vështirësitë qe po kalojnë qytetarët e vendit, është reale heqja e TVSH-së”, tha Haradinaj.
E ish-ministri Haki Shatri, tha se buxheti aktual është përgatitur më disa premisa jo reale. Tutje, tha se proklamomi i qeverisë për rritje të GDP për vitin 2022 për 14.5 për qind është në kundërshtim me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.
“Është vlerësuar që rritja e GDP për vitin 2022 do të jetë 14.5 për qind gjë që është në kundërshtim me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. Nuk mund të ndodh në këtë vit nuk mund të ndodh në asnjë vit me këto parametra”, tha Shatri.
“Janë shifra joreale që e krijojnë një bazë shumë reale për kërkesën tonë që të bëhet një rishqyrtim sa më shpejt i buxhetit, e jo të pritet ajo koha tradicionale – siç e tha edhe kryeministri Haradinaj – por të bëhet menjëherë sepse ka nevojë të adaptohen shifrat në buxhetin zyrtar me kërkesat aktuale”, tha Shatri.