Haradinaj kujton Gjeneral Shaban Shalën: Do kujtohet përgjithmonë si figurë e ndritur e historisë së re të Kosovës

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Haradinaj kujton Gjeneral Shaban Shalën: Do kujtohet përgjithmonë si figurë e ndritur e historisë së re të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit Shaban Shalën në përvjetorin e 11 të shkuarjes së tij në amshim.

Haradinaj tha se Shaban Shala ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik, ish bashkëthemelues e drejtues i KMDLNJ-së, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot në 11-vjetorin e shkuarjes në përjetësi, kujtojmë Heroin e kombit, Gjeneral Shaban Shala, i cili tërë jetën ishte në shërbim të Atdheut.

Ishte veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik, ish bashkëthemelues e drejtues i KMDLNJ-së, pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës, dha kontribut të çmuar në proceset shtetndërtuese, me theks të veçantë në themelimin e zhvillimin e TMK-së dhe transformimin në FSK.

E gjithë familja e Gjeneral Shalës ishte ne ballë të proceseve për liri, prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Kisha nderin që në kohën e luftës per liri, të bashkëveproj me vëllain e tij Bedriun, i cili ra heroikisht në ballafaqim me armikun në mbrojtje të Junikut, më 10 gusht 1998. Emri i tij u nderua nga Brigada 134 “Bedri Shala” e ZO të Dukagjinit.

Vdekja e Gjeneral Shalës la zbrazëtirë të madhe në proceset shtetndërtuese, por do kujtohet përgjithmonë si figurë e ndritur e historisë së re të Kosovës”, përfundoi ai.

Të ngjashme