Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar ngjarjet e 28 marsit 1999, duke theksuar se kjo datë shënon një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga shteti serb në Kosovë.
Sipas tij, në fshatin Izbicë, forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 147 shqiptarë të paarmatosur, përfshirë gra, pleq dhe fëmijë.
Haradinaj ka rikujtuar gjithashtu se në të njëjtën ditë, në Zonën Operative të Dukagjinit, forcat e UÇK-së zhvilluan Betejën e Pozharit, ku – sipas tij – armiku pësoi humbje të rënda.
Ai ka theksuar se kjo betejë u shënua me emrat e luftëtarëve Elez Geci dhe Maxhun Berisha.
Haradinaj ka bërë të ditur se 28 marsi është edhe dita e themelimit të Brigadës 137 Gjakova, të cilën e ka cilësuar si brigadën e parë urbane në Kosovë, e përbërë nga luftëtarë të përkushtuar ndaj çlirimit të vendit.
“Të rënët e kësaj toke janë themeli i lirisë sonë dhe frymëzim i përjetshëm për brezat që vijnë”, ka theksuar Haradinaj.