Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, po thotë se arsyeja pse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e hoqi taksën, që sipas tij e bëri duke e copëtuar, është që t’i fshehë pasojat që do t’i shkaktojë heqja e saj.
“Heqja e taksës e vështirëson shumë gjendjen për tregtarët. Koha do të tregojë sa gabim ka bërë Kurti me qasjen e tij ndaj kësaj teme. Pse e hoqi njëherë për 10 ditë për lëndën e parë e më pas tërësisht? Çka ka mundur të shohë për ato 10 ditë? Pse e copëtoi vendimin? Çfarë zori pati që brenda një jave të copëtojë vendimin? Unë i kam thënë mos e hiq derisa ta sheh kontratën finale mes Kosovës dhe Serbisë”.
Haradinaj në Rubikon tha se Kurti është dashur ta heqë taksën duke ia dhënë Amerikës e më pas të kërkonte nga ajo njohjen e Serbisë.
“ Askush s’e kishte ndalë Kurtin ta heqë taksën edhe me ia dhënë Amerikës. Ta kishte hequr dhe të kishte thënë Amerikës se po e bën për të dhe t’i thoshte: Ju lutemi kërkoni Serbisë të na njeh”.
“Një javë me vonë t’ia kishte vendosur një reciprocitet Serbisë ai do ta kishte fituar kartën politike me taksën. Pastaj, nëse Amerika do ta kishte pyetur se çfarë po bën për reciprocitetin atëherë do të mund të thoshte se po vepron sikurse Serbia. T’i thoshte se nuk po i dëmton ata por po përdorë të njëjtat masa sikurse Serbia”.
“Për për t’u fshehur nga heqja e taksës u mundua ta mashtrojë opinionin me reciprocitet. Nga frika se do të bëhet dëm politik e coptoi taksën dhe për nëntë ditë çka ndryshoi? Për nëntë ditë e coptoi vendimin, nuk i mbeti vlerë. Unë kam qenë kundër heqjes së taksës por sikur t’ia kishte sjellë një vlerë Kosovës, një kundërvlerë e kisha përbi disi”.