Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se kryeministri Albin Kurti nuk e ka informuar as Lëvizjen Vetëvendosje mbi përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit, të cilin e ka pranuar në Bruksel.
“Kurti e ka pranuar në Bruksel Asociacionin pa e nda atë dokument me partitë parlamentare të Kosovës, as me Vetëvendosjen. Mendoj se ai me urgjencë duhet ta ftojë së pari partinë e tij dhe të ua lexojë atë dokument. Ai është vonu, është dashur të ua lexojë para se me thanë ‘po’”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Ish-kryeministri tha se Kurti ka pasur një javë kohë që draftin e propozuar nga ‘Pesëshja e Madhe’ ta ndajë me partitë e parlamentare, para se atë ta pranojë në Bruksel.
“Unë mendoj se Kurti ka gabu shumë që e ka pranu këtë dokument pa u takuar me ne përpara, pa na jep të paktën…atij kur ia kanë dhënë dokumentin përfaqësuesit ndërkombëtarë ia kanë dhënë një javë përpara, ai në atë javë, ose dhjetë ditë përpara, është dashtë me na ftu, me thanë po du në emër të Kosovës me e pranu këtë dokument”, tha Haradinaj.
Ai i sfidoi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të tregojnë se kush nga ta e ka lexuar draft-statutin e Asociacionit, derisa tha se sjellja e Kurtit në dialog po i shkon në favor Serbisë.
“Unë dyshoj në agjendat e fshehura të tij (Kurtit), ai po ia fshehë edhe Vetëvendosjes se çka ka pranu, jo mu për shembull, unë po i pyes sot deputetët e Vetëvendosjes kush prej tyre e ka lexuar krejt dokumentin, të cilin kryeministri ynë i Kosovës në këtë rast, edhe pse unë kam votuar kundër tij, e ka pranuar në emër të Kosovës, përpos që e ka pranu po e kërkon edhe nënshkrimin e çetnikut andej”, tha kreu i Aleancës.
Haradinaj i pakënaqur me opozitarizmin: Mirë po na e bën Kurti sepse ia kemi lënë livadh
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vetëm gjyqësori dhe mediat në Kosovë nuk janë nën kontrollin e Kurtit.
“E meritojmë kështu me na e ba Kurti sepse ia kemi lanë livadh, ia kemi dhanë votën me shumicë dhe atë blanko, pastaj ne si opozitë nuk kemi ditë me u bashku me kohë dhe me mbajt nën kontroll këtë njeri dhe këtë qeveri, ky e shtini në kontroll edhe presidenten dhe parlamentin dhe të gjithë realisht. Të vetmit që nuk po i kontrollon janë gjyqësori dhe mediat”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Ai pati kritika edhe për opozitën në Kosovë, duke thënë se po u mungon vetëbesimi.
“Unë e pranoj se ka munguar vetëbesimi i duhur opozitar i yni, nuk mburrem me opozitëbërjen tonë, nuk kemi tregu nivel të përgjegjësisë përballë një qeverie kaq të papërgjegjshme dhe një kryeministri të paparashikueshëm që i rrezikon proceset”.
“Ai nuk na ka mundur, por për fat të keq i ka bërë dëme Kosovës se ne nuk jemi të dorëzuar, dhe nuk i kemi mbrri ato që është dashtë me i mbrri dhe nuk i kemi ba ato që është dashtë me i ba. Mendoj se vota e mocionit është dashur të jetë e bashkuar me kohë, mendoj se partitë opozitare nga kompleksi i njëra-tjetrës, ose frika se cili përfiton nga ajo qëbëjmë ne bashkë, i shkakton pasoja Kosovës, se një nga një nuk janë të mjaftueshëm”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.