Haradinaj: Kurti po i shërben Serbisë me dialog teknik, po vonohet anëtarësimi në NATO

Prishtinë | 06 Mar 2022 | 08:50 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është i bindur se kreut aktual të Qeverisë, Albin Kurti po i pëlqen dialogu teknik me Serbinë. Krejt kjo ngase sipas tij, në këtë drejtim nuk është parë ndonjë përparim vetëm se është kaluar nga tema ne temë.

Madje ai thotë se me këtë logjikë Kurti vetëm se po i shërben interesave të Serbisë.

Megjithatë, ish-kryeministri Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se Aleanca nuk pajtohet për dialog teknik, por kërkon që të shkohet drejt finales së madhe për njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu teknik ose logjika e një dialogu prej teme në temë, ose një marrëveshje plus një marrëveshje është konsumuar. Tani është koha e finales së madhe pra marrëveshjes së madhe. Aleanca i ka kërkuar parlamentit që ta obligojë qeverinë që të fokusohet ose ta nxjerrë në plan të parë çështjen e njohjes dhe të mos vazhdojë me dialog teknik prej teme në temë”.

“Të arrihet marrëveshja për njohje reciproke Kosovë-Serbi bazuar në parimet e integriteti territorial. Pra të mos preket integriteti territorial dhe kufijtë e Kosovës, sovraniteti e kushtetutshmëria. Kryeministri Kurti nuk ka gatishmëri për të dhënë përgjigje sepse kryeministrit po i  pëlqen dialogu teknik i teknikëve. Mirëpo me këtë logjik kryeministri po i  shërben Serbisë”.

Tutje, Haradinaj theksoi se nëse kryeministri Kurti vazhdon me dialogun teknik e vonon ditën që Kosova të jetë partneritet për paqe në NATO.

“Pra është nderi më i madh që mund t’ia bëjë Serbisë për të vazhduar një dialog të tillë në mënyrë që Serbia të arsyetohet se po dialogon me Kosovën. Në këtë mënyrë kërkesa jonë është të mos vazhdohet për të ndihmuar Serbinë me këtë dialog teknik të Petkoviqit dhe Bislimit. Edhe udhëheqësit shtetëror përfshirë edhe presidentin e Francës kanë shpresuar që në muajt në vijim që i bie këtë vit. I vetmi që nuk dëshiron të hyjë në temë është kryeministri Kurti”.

“Bashkësia ndërkombëtare do t’i japë Kosovës të drejtën për anëtarësim në NATO. Kryeministri duke vazhduar dialogun teknik e vonon ditën kur ne mund të ftohemi për partneritet për paqe në NATO”, tha Haradinaj.

Sipas tij, fokusi i madh i faktorit ndërkombëtarëve për marrëveshje final është dëshmi se Serbia duhet të japë qëndrimin e vet njohje ose jo, raporton EO.

“Fokusimi kaq i madh i Uashingtonit zyrtar i Londrës, i Berlinit, i Brukselit besoj që do ta sjellë situatën kur Serbia do të duhet të japë qëndrimin e vet njohje ose jo. Nëse është njohje është perspektivë e mirë për rajonin nëse jo të paktën hapet mundësi për një vazhdim pa pritur prej Serbisë më tutje njohjen”.

Të ngjashme