Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk e ka zhvilluar asnjë komunikim me Millan Radojiçiqin që nga viti 2018, kur Policia realizoi një bastisje në banesën e tij, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj, tutje ka thënë se marrëveshjet me Radoiçiqin janë larje e borxhit të Kurtit ndaj Vuçiqit.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Listën Serbe janë koordinuar për Ligjin për pagat minimale dhe përjashtimin nga Ligji i pagave të veteranëve.
“Kushdo që ka çfarëdo të dhëna, i lus t’i qesin. Në kohën kur kam qenë unë kryeministër, nga ajo kohë nuk kam pasur asnjë komunikim. Një njeri i ikur nga Kosova pa fuqi në Kosovë na u ringjallë me ardhjen e kryeministrit Albin Kurti. Ai mbërrijti të bëhet faktor përkundër faktit që ishte i ndjekur, u fut në listën e zezë te ShBA-së. Arriti të lidhi marrëveshje me Albin Kurti 2018 ka qenë i ndjekur nga Qeveria Haradinaj, tani Radojiçiq u bë faktor i Albin Kurtit”, ka thëne ai, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.