Haradinaj – Kurtit për punësimin: Mos mashtro, ASK të ka tregu që mbi 211 mijë qytetarë e kanë braktisë Kosovën sa ti ke qeverisë

Prishtinë | 29 Gus 2024 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po mashtron me shifrat për zhvillim ekonomik dhe punësim, referuar deklaratës së Kryeministrit Albin Kurti i cili tha sot ka pasur rritje të buxhetit të shtetit dhe tha se kjo është përkthyer në punësim të shtuar.

Haradinaj ka pyetur Kryeministrin Albin Kurti se meqë ka rritje të buxhetit për 35 përqind, pse s’po i rrit pagat e pensionet për 25 përqind. Sipas tij, një rritje e tillë mund të bëhet pa asnjë problem qysh sot.

Ai i ka përmendur Kurtit edhe shifrat e emigrimit gjatë mandatit qeverisës.

“Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeminstrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe. Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse “zullumi këputet për së trashi” thotë populli”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se ka pasë rritje të bruto produktit vendor e buxhetit të shtetit dhe tha se kjo është përkthyer në punësim të shtuar.

Sipas Kurtit, krahasuar me vitin 2021 punësimi në Kosovë është rritur me 20%, raporton Gazeta Express.

“Krahasuar me vitin 2021, tash që po flasim më 2024, bruto produkti vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35% më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe në punësim të shtuar. Krahasuar me para tri viteve, punësimi në Kosovë është rritur me 20%, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar e padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”.

Këto deklarata Kurti i bëri në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar.

Ai aty është zotuar se do të mbështesë sektorin privat të cilin e ka cilësuar si faktor të rëndësishëm të punësimit dhe rritjes ekonomike. Po ashtu, Kurti ka thënë se mbështetja e bizneseve ka qenë e vazhdueshme dhe e lartë.

Të ngjashme