Haradinaj: Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë do të trajtohet si armik

Prishtinë | 13 Gus 2024 | 22:09 | Nga Ekonomia Online

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të Qeverisë Kurti për hapjen e Urës mbi Ibër, përkundër kundërshtimit nga SHBA-ja, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian. Haradinaj deklaroi se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë do të trajtohet si armik i Kosovës.

Sipas tij, dikush që vë në rrezik ushtarët amerikanë “ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!”

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, përsëriti edhe sot se ua kanë bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët.

Misioni i KFOR-it mban një prani të përhershme në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth, sikur thekson për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale.

“Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë me mandatin tonë të OKB-së”, ka deklaruar KFOR-i.

Postimi i tij i plotë:

Kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë, as nuk i takon Kosovës dhe as nuk do t’i takojë Kosovës. Është vetëm kundër Kosovës. Dhe, si armik i Kosovës do të trajtohet!

Prandaj, ose do të jetë në burg ose do të ikë e fshehet nga Kosova! Pavarësisht çfarë shtetësie ka dhe çfarë detyre ka, ai-ajo-ata do të ndëshkohen!

P. S

Të gjithë ju që keni përgjegjësi shtetërore, nëse e gjeni veten këtu, pas lutjes (edhe publike) amerikane për Qeverinë e Kosovës, dijeni se s’do ta keni mbrojtje petkun që ju mbështjellë përkohësisht!

Të ngjashme