Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar 102 shqiptarët e ekzekutuar në masakren e Qyshkut, Zahaqit e Llabjanit.
Haradinaj ka kujtuar edhe eprorët e kësaj ane të rënë në beteja të ndryshme të UÇK-së.
“Sot, në këtë përvjetor, kemi kujtuar e nderuar edhe eprorët e luftëtarët e kësaj ane, të rënë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skender Çeku nga Qyshku; Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë:
Masakra në Qyshk, Zahaq, Pavlan e Llabjan, është njëra prej ngjarjeve dhe dhimbjeve më të mëdha që kemi përjetuar si popull. 102 shqiptarë të paarmatosur, do të ekzekutoheshin barbarisht, nga njësitet e kombinuara ushtarake dhe policore serbe, si hakmarrje për humbjet e tyre gjithandej në frontet e luftës.
Sot, në këtë përvjetor, kemi kujtuar e nderuar edhe eprorët e luftëtarët e kësaj ane, të rënë në beteja të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin: Skender Çeku nga Qyshku; Jahë Kabashi, Blerim e Bekim Kelmendi, dhe Rifat Veseli nga Llabjani.
Ngjarje të dhimbshme, sikur masakra që përkujtuam sot, dëshmojnë për rrugën e vështirë deri në liri, njëkohësisht për dhimbjen e madhe që kaluam si popull.
Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të falen. Drejtësia duhet të vendoset sa më parë.
I përjetshëm kujtimi për të rënët.