Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është kundër mbylljes totale të vendit dhe kundër menaxhimit të pakontrolluar të pandemisë.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se sugjerimet e tij dhe të partisë që ai e drejton rreth menaxhimit të pandemisë, është bërë duke analizuar shumë indikatorë.
“Çdo sugjerim, kërkesë dhe rekomandim i imi dhe i Aleancës për menaxhimin e pandemisë është dhënë duke analizuar shumë indikatorë, veçanërisht kapacitetet tona shëndetësore, nivelin e zhvillimit ekonomik dhe kushtet e rënda të operimit të sektorit privat.”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka qartësuar se asnjëherë nuk ka kërkuar operim të pakontrolluar, por hapje të kontrolluar me masa adekuate, të cilat nuk lejojnë shpërndarje të virusit, por as nuk e mbyllin ekonominë.
“Asnjëherë nuk kemi kërkuar operim të pakontrolluar, përkundrazi kemi kërkuar hapje të kontrolluar me masa adekuate, të cilat nuk lejojnë shpërndarje të virusit dhe nuk e mbyllin ekonominë, si dhe masa lehtësuese përmes financimit direkt për çdo sektor dhe aktivitetet ekonomik që ka vështirësi! Pra, menaxhim i kontrolluar, me masa kufizuese, me angazhim maksimal të organeve shtetërore dhe lehtësim financiar të aktiviteteve ekonomike dhe të akterëve institucional të angazhuar direkt.”, ka shkruar Haradinaj.
Në vazhdim, Haradinaj ka qartësuar propozimet Aleancës, për menaxhimin e ekonomisë dhe atë në tri dimensione: Ekonomi, aktivitete operative dhe mbështetje financiare për personelin e angazhuar.
“Bazuar në keqësimin e dukshëm të gjendjes dhe përgjigjes adekuate të situatës së re të krijuar, Aleanca rekomandon masa dhe aktivitete të reja. Në pika të shkurtëra ne rekomandojmë masa dhe veprime në tre dimensione: Ekonomi:
– subvencionim financiar sektorial për aktivitetet e prekura direkt;
– subvencionim i aktiviteteve prodhuese;
– subvencionim i eksportit; dhe
– subvencionim i industrisë së shërbimeve, potencial për eksport dhe punësim.
Aktivitetet operative:
– Zgjerimi i kapaciteteve shëndetësore, profesionale dhe teknike;
– Angazhim i vullnetarëve;
– Ekipet mobile për trajtim në shtëpi;
– Trajtimi me qëndrim në kapacitetet private;
– Furnizim me barna të nevojshme për të gjithë të prekurit; dhe
– Hapja e spitaleve provizore.
Mbështetja financiare për personelin e angazhuar:
– Shtesat për personelin shëndetësor;
– Shtesat për policinë dhe inspektorët; dhe
– Honoraret për vullnetarët” – ka vazhduar Haradinaj duke e mbyllur shkrimin me “JO mbyllje totale, JO menaxhim i pakontrolluar!”.
Ndryshe, 56 qytetarë janë raportuar se kanë vdekur të prekur me Covid19 vetëm në dy ditët e fundit, ndërsa numri i rasteve aktive është 26.525. Deri të dielën, mbi gjysmë milioni qytetarë janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa vetëm 269.312 më të dyja dozat. Aplikimi për termine për vaksinim është i mbyllur tash e sa ditë për mungesë të vaksinave, të cilat sipas qeverisë pritet të vijnë në javën e dytë të shtatorit.