Kryeministri në detyrë, Rammush Haradinaj, ka vizituar policin Artur Mrasori, i lënduar mbrëmë gjatë aksionit policor në Zhur të Prizrenit, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Haradinaj foli për mungesën e ligjit për sigurinë shëndetësore.
Po ashtu ai paralajmëroi se do të marrin vendim për të kompensuar familjet e policëve të rënë në detyrë.
Sipas tij krahas pensionit këto familje do të kompensohen edhe me një shumë të mjeteve financiare.
“Është një kërkesë e kamotshme e policisë për ligjin e sigurime shëndetësore dhe pensionim të parakohshëm. Janë në proces ato ligje dhe për fat të keq nuk mund t’i dërgojmë në Kuvend ato ligje. Jemi në pritje të Qeverisë së re dhe besoj se këto dy ligje do të ndodhin”.
“Sot do të marrim vendim qe policëve të renë ne detyre krahas pensionit që marrin me iu shtua edhe një shumë, shume e respektueshme për secilën familje te secilit polic te rënë në detyre”, tha Haradinaj.
“Gjatë këtyre dy viteve kemi qenë më afër policisë dhe ato dy ligje do të ndërmerren. Sa i përket policit të lënduar nuk do t’i mungojë asgjë, dhe nëse është nevoja do të trajtohet edhe jashtë vendit”, u shpreh Haradinaj.
“Ka lëndime, poashtu lëndime me pasoja mirëpo jeta e tij është jashtë rrezikut. Sot më herët kam qenë edhe në Drejtorinë e Policisë dhe erdhëm këtu, pra do ta përcjellim gjendjen me kujdes dhe nëse rrethanat paraqiten në çfarëdo kujdesi, ne do të jemi të gjithë bashkë. Polici që ka ndërruar jetë, i shprehi ngushëllime familjes”, tha Haradinaj.