Kërkesave të SBAShK-ut, ka vendosur që të u përgjigjet kryeministri Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook. Ai ka shkruar se njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të 90-ta ka një rëndësi të veçantë dhe se në ditët në vazhdim ai do të takohet me përfaqësuesit e SBAShK-ut, ku do të mundohen që të gjejnë një zgjidhje me qëllim të realizimit të kërkesave të tyre.
Ky është postimi i kryeministrit Ramush Haradinaj:
Duke marrë parasysh sakrificën e të gjitha segmenteve të shoqërisë sonë, Qeveria e Kosovës ishte dhe mbetet e përkushtuar që t’i trajtojë me prioritet kërkesat dhe nevojat e të gjitha kategorive të lirisë. Tashmë një pjesë e këtyre kategorive kanë mbështetjen e plotë ligjore.
Në këtë frymë të përkushtimit, njohja e sakrificës së mësimdhënësve të viteve të ’90-ta ka poashtu një rëndësi të veçantë. Mësimdhënësit e viteve të ’90-ta ishin shtylla e papërkulur e rezistencës sonë.
Gjatë ditëve në vijim do t’i takojë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe bashkërisht me ta do të punojmë në trajtimin e kërkesave me qëllim të realizimit të tyre, por edhe në përmbushjen e obligimeve tona si shtet.