Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas përfundimit të interpelancës në Kuvendin e Kosovës për Rastin Dehari, tha se është mirë që situata nuk eskaloi, kur deputetët e PDK-së e Vetëvendosjes u ngritën në këmbë dhe ishin gati të përlesheshin fizikisht.
“Megjithatë u hetu një pjekuri, nuk eskaloi në diçka tjetër. Nuk mendoj që ka qenë qëllimi i cilësdo palë me dëmtu qëllimin e seancës”, u shpreh kreu i Qeverisë.
“Por duhet një kujdes më i madh në të ardhmen”, porositi Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Ndërkaq debatin e sotëm, Haradinaj e sheh si të panevojshëm.
“Ato që i ka kërkuar parlamenti ne i kemi kërkuar shumë kohë më parë. Kaq ka kompetenca Qeveria”, tha ai.
Sipas tij, hetimi i ri i sqaron ato që i kërkonte Albin Kurti nga kjo interpelancë. “E kemi respektuar kërkesën e familjes Dehari për institucionin”, deklaroi Haradinaj.