Kryeministri në detyrë, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thurur lavdë për shqiptarët në Amerikë.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka shprehur mirënjohje të madhe ndaj tyre, për siç ka thënë kontributin e parezervë në çdo etapë të shtetkrijimit e shtetbërjes së Kosovës.
“Me mirënjohjen e thellë për komunitetin shqiptar në SHBA, kontributin e parezervë në çdo etapë të shtetkrijimit e shtetbërjes së Kosovës, ju ftoj të na bashkangjiteni në fitoren e radhës që thirret si fitore e sovranitetit e guximit për t’u bashkuar rreth kauzës sonë të përbashkët, Kosova 100%”, ka thënë Haradinaj.
Ai është shprehur se, përkrahja e shqiptarëve në SHBA, ndikon në zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat.
“Rrugëtimin tonë nuk e kishim të lehtë, por e kishim të sigurtë me ju përkrah. Përkrahja juaj morale e fizike është boshti dhe obligimi ynë, që të përkushtohemi për një atdhe 100% brenda kufijve tonë. Koha t’ua kthejmë qytetarëve tonë mundësinë për një jetë të dinjitetshme pa pikëpyetje të shtetësisë e me hapin drejt zhvillimit tonë të brendshëm ekonomik e shoqëror”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj në prill të këtij viti, kishte qëndruar disa ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte takuar me komunitetin shqiptar, në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.