Haradinaj: Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar

| 01 Kor 2023 | 22:53 | Nga

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përsëritur se Kosova me Albim Kurtin kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, andaj para pak ditësh ka kërkuar mocion për shkarkimin e tij.

Sipas Haradinajt, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja. Dhe situata, sipas kreut të Aleancës, fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”, ka shkruar Haradinaj, në një postim në Facebook.

“Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi”.

“Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar”, thekson ish-kryeministri Haradinaj.

Të ngjashme