Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Prekaz, në varrezat e familjes Jashari.
Ai tha se ajo çfarë kanë bërë familja Jashari në krye me Adem Jasharin është gjithçka që sot kemi.
“Historisë së Kosovës së lirë dhe të pavarur, i dha vulë sakrifica sublime e familjes Jashari në krye me Komandantin legjendar, Adem Jashari. Ata dhanë gjithçka që ishte e tyre, për gjithçka çfarë kemi ne sot. Familja Jashari do të jetë përjetësisht e nderuar dhe frymëzimi më i madh i dashurisë për kombin”, tha Haradinaj.
Haradinaj gjithashtu tha se Epopeja e UÇK-së është ngjarja kulmore e historisë kombëtare të vendit, bashkë me emrat e heronjve dhe dëshmorëve.
“Epopeja e UÇK-së, si ngjarja më kulmore e historisë sonë kombëtare është e skalitur me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve tanë”, tha Haradinaj.