Haradinaj në 74-vjetorin e themelimit të NATO-s: Kosova e ka vendin në aleancë krah miqve të saj për ta ndihmuar paqen në botë

Prishtinë | 04 Pri 2023 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, si popull i lirë me orientim të natyrshëm euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të.

Në ditëlindjen e 74-të NATO-s, Haradinaj ka thënë se fuqinë e kësaj Aleance e ka përjetuar edhe populli i Kosovës. 

“Aleanca më e fortë politiko-ushtarake në botë, që mbron lirinë, demokracinë, paqen dhe sigurinë jo vetëm në Amerikën Veriore dhe Evropë por në tërë globin, sot shënon ditëlindjen e 74-të. Fuqinë e drejtësisë së kësaj Aleance të madhe, e përjetoi edhe populli i Kosovës, në momentet më vendimtare të historisë së tij për çlirim, për çka jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shkruar Haradinaj. 

Ai ka shtuar se Kosova e ka vendin në NATO krah miqve të saj për ta ndihmuar paqen në botë. 

“Sot, si Republikë e Kosovës, ne jemi kontribues me Ushtrinë tonë, në misione ndërkombëtare paqeruajtëse të kësaj Aleance. Si popull i lirë me orientim të natyrshëm euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të. Besoj shumë që Kosova e ka vendin në NATO, për të qenë krah miqve tanë për ta ndihmuar paqen dhe lirinë”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme