Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot takim me banorët e Loxhës së Pejës.
Në këtë fshat ai fillimisht i përgëzoi banorët për trimërinë e treguar gjatë kohës së luftës dhe ua tregoi mënyrën e duhur të votimit, duke i kërkuar që të kenë kujdes në procedurën e shenjimit të votës në mënyrë që për shkak të ndonjë gabimi të mos përfundojë i pavlefshëm fletëvotimi.
Më pas Haradinaj vijoi me shpalosjen e arsyeve se pse duhet të votohet partia e tij.
“E kemi treguar veten me punë e sakrificë dhe të arritura, për këtë duhet ta votoni AAK-në. E bëmë ushtrinë, me taksën 100 përqind e treguam se kush është Zot shpie”.
“Duhet ta zhvillojmë ekonominë. Sektorin publik e kemi rregulluar, tani duhet edhe atë privat. Ta zvogëlojmë burokracinë se po i mundojmë njerëzit pak me letra, dhe kjo është edhe burim i korrupsionit”.
“Jemi të vendosur për t’i dhënë shtesat për fëmijë se Kosova po zbrazet. Jemi të vendosur t’i përkrahim lehonat”.
Ai foli po ashtu edhe për çështjen e marrëdhënieve me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke thënë se edhe ata duan që shteti ynë të vendosë vet.
“Sa i përket marrëdhënieve me aleatët, duhet ta kuptojmë se interesi ynë është që të bëhemi shtet 100 përiqnd dhe këtë duhet të shkojmë t’ua shpjegojmë atyre. Nuk duhet me na ardh marre me i tregu aleatëve se për çka jemi ne, pra për shtet 100 përqind, dhe kjo i gëzon ata. Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë t’i kryejmë punët tona”.
“Një kryeministër duhet të jep dorëheqje edhe 100 herë nësë është nevoja dhe të mos e mbrojë veten e ta dëmtojë interesin nacional”.
“Unë e kam parë që anëtarët e politikës sonë nuk dinë me i mbajt situatat dhe momentet e ndjeshme”.
“Ne është dashur t’i kërkojmë diçka Serbisë që ta pranojmë që ata të na njohin. Më besoni që i kisha ftuar ambasadorët që ta shohin se qysh është dukur Loxha rrafsh për toke në vitin 1999, ose në Krushë të Madhe. Dhe atëherë duhet me i pyet se kush duhet të kërkojë diçka për njohje”.
“Është pra gabim i madh drejtimi që e ka marr një pjesë e politikes sonë në vazhdimësi dhe jemi për njohje reciproke. Fatmirësisht liberalizimi vjen besoj deri nga fundi i vitit, jemi për anëtarësim në OKB por kurrë nuk dalim kundër vetvetes, kundër pavarësisë së 17 shkurtit”.
Haradinaj në fund të takimit i siguroi fshatarët se asnjëherë nuk do të refuzojë ndonjë projekt që vjen nga Loxha, duke thënë se “isha marr menjëherë me të”, dhe po ashtu i bëri lutje që ta përkrahin, duke i thënë: “A doni mem ndihmu më shumë se përpara se jom ma ngushtë kësaj here.