Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka mbajtur në orët e para të mëngjesit mbledhjen me këshilltarët e tij. Në këtë mbledhje, Haradinaj i ka dhënë një detyrë të re ish ministres, Albena Reshitaj.
“Në mbledhjen e mëngjesit me këshilltarë, diskutuam ndër të tjerash edhe për organizimin e aksionit për pastrimin e mjedisit të Kosovës, rrugë kjo e cila po merr kahjen dhe mobilizimin e duhur.
Duke marrë parasysh përvojën, përkushtimin dhe vullnetin e saj të treguar gjatë kohës sa ishte ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nga sot Albena Reshitaj do të udhëheq Task Forcën për Pastrimin e Kosovës, si një nga ideatoret e kësaj nisme të rëndësishme, që fillon më 15 shtator deri më 15 dhjetor.
Së bashku, me një mobilizim gjithëpërfshirës, me përkrahjen edhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile, donatorëve ndërkombëtarë do të krijojmë një Kosovë të pastër dhe europiane” njofton kryeministri